CAUSA PIPA

(Për nji shtatore të Arshi Pipës)

Për shumicën që nuk janë të njoftun me problemin që parashtrohet në këtë shkrim të Kênsit, po e nisim me nji shkrim timin të motshëm në gazetën ‘Standard’ (Shqipni), botue në korrik të 2015-s. Shkrimi asht si maposhtë vijon:


“Ka kombe që u bajnë ballë skamjes dhe identitetit etnik të tyne, sikundërse ka kombe kryenaltë për supremacinë e vet, dhe që futen në rreshtin e vendeve që dominojnë e bajnë rregullat e botës. Por nuk ka asgja ma të randë se nji komb që nuk ka kujtesë historike. Po kështu, nuk ka asgja ma të trishtueshme se nji qytet si Shkodra, që vijon me qenë në letargji tash sa dekada.
Nji ditë prej ditësh, po kaloja në Shkodër (në vizitat e mia të rralla tashma) dhe befas më zunë sytë nji bust të nji personaliteti austriak, në mos u gabofsha, pak hapa para Bashkisë së qytetit. Nuk u ndala shumë me ia mbajtë mend as emnin, e as nuk mora nismën për me qëmtue ma ’ndej për këtë njeri. Gjithsesi tue respektue aktin qytetar të pranisë së kësaj figure mu në zemër që qytetit, njiherësh nuk mbërrita me kuptue vendin e tij aty përpara vendit të figurave e personaliteteve tona. Ndokush, me të drejtë ka me pyetë, se çne kaq shqetësim sa me hy e me shkrue për kaq e gja, kur shteti shqiptar ka njimijë e nji probleme të tjera: ekonomike, partiake, reformash arsimore, (mos)dekretimesh etc. Po gjithsecili ka kahen e vet të mendimit. Në këtë mënyrë, edhe unë (si nji pjesë e mirë të intelektualëve jo vetëm të qytetit të Shkodrës, me të cilët në bisedat e ngushta të tavolinave e kemi trajtue këtë çështje) më shqetëson fakti se mungon nji shtatore e Arshi Pipës. Nji shtatore klasike, e perceptueshme – jo sikundër ajo e Gjergj Fishtës, që duhet me e gjetë portretin e tij me tri lëvizje! Sigurisht mungojnë dhe monumentet a bustet e disa personaliteteve të tjera. Asht pak e habitshme sesi këshilli bashkiak (a kush mund ta ketë në dorë miratimin e vendosjes së nji busti/shtatoreje) pranon me zanë hapësinën publike për të huejtë pa nderue ma parë vendasit, bijtë e vet. Asht po prapë e habitshme se qysh mbas 1997, kur hini i trupit të A. Pipës u derdh në Adrie, askush nuk e çeli gojën se kjo figurë duhet ta ketë shtatoren e tij pikërisht në zemër të qytetit. Asnji sallë universiteti në Shqipni (për turp tonin) nuk mban emnin e tij. Nuk e di a mund të ketë emna rrugësh a rruginash me emnin e profesor Arshi Pipës (?). U hesht, po prapë si gjithnji, edhe me rastin e 95-vjetorit të tij, në datë 27 korrik. Në shtyp lexova se veç në Amerikë, nga Federata Pan-shqiptare ‘Vatra’, ku ka zhvillue karrierën e tij akademike, u mbajt nji Konferencë shkencore në nderim të punës së tij. Si mundet vallë qyteti i tij i lindjes me e lanë në harresë nji figurë të kalibrit botënor? Këtë e tham pa frikë dhe me përgjegjësi intelektuale. Asht ndër të paktët shqiptarë që rrin krah për krah me studiuesit ma të mirë që ka njohë disiplina e studimeve të letërsisë (jo vetëm asaj shqipe), e sociologjisë politike, dhe e filozofisë. Më vjen çudi me vete, sesi thirren sot do njerëz filozofë pa pasë farë doktrine dhe deduksioni origjinal filozofik – por quhen të tillë se thjesht janë mësimdhanës në fakultete përkatëse. Në këtë vend, sigurisht, mundesh me u ba filozof dhe me disa artikuj edhe në mos qofshin në lamë të filozofisë. Mundesh me dalë po ashtu në TV dhe me u heqë si i tillë, e çdo gja funksionon për mrekulli. Ndërkohë, Arshi Pipën, ndër të vetmit që ka nji doktrinë filozofike (parashtrue në
Skicë e një konceptimi mbi jetën [pasue me Mbi gjeniun]) nuk e përmend askush. Nuk përmendet sa dhe si duhet as si poet madje, pavarësisht se asht njohësi ma i mirë i metrikologjisë, dhe ekzekutuesi i disa metrave në poezi, jo vetëm në gjuhën shqipe. Shtojmë këtu edhe faktin, se ai asht modeli i rezistencës së burgjeve komuniste. Pra të jesh studiues, poet, profesor emeritus, politolog, doktrinar, përkthyes, nuk mundesh me pasë aq metra katrorë sa për nji shtatore!? Dhe për ma tepër të kesh heqë e dëshmue me aq skrupulozitet në dhe për ferrin enverist. Nji qytet si Shkodra, që për vite e ka vuejtë baticën e zbaticën e regjimit komunist dhe po vuen sërish këtë zgjatje të komunizmit (sepse ai ende nuk ka ra në Shqipni!), tregohet e pandieshme për me nderue kujtimin e A. Pipës. Këtij njeriu, që përpos së kaloi nëpër disa burgje e kampe pune, i asht vra dhe vëllai, Myzafer Pipa, vetëm pse u doli në mbrojtje juridike, si avokat që ishte, klerit katolik. U vra në mënyrë mizore, mbas sa e sa torturave, me pretekstin se donte të arratisej nga burgu. Dhe ku u vra? – Në rrugë. Në qytetin e Shkodrës. Toka ku u lind, ku u derdh gjaku i vëllait të tij e len prapë në harresë. Ç’ironi?
Ky shkrim, qëllimisht i thukët, asht nji apel dhe nji letër e hapun ma së parit për znj. Voltana Ademi, kryebashkiaken e Shkodrës, dhe për të gjithë intelektualët e këtij qyteti. Nuk asht vonë, me u ba të ndërgjegjshëm për kujtesën tonë kombtare. Të dalim publikisht dhe të mbrojmë vlerat reale dhe të nderojmë ata që vërtet dhanë për këtë vend, dhe t’u largohemi mediokriteteve të agjencive të ndryshme kulturore që ndajnë çmime, të cilat nuk kanë kompetencat e duhuna të peshimit të produktivitetit artistik. Dhe ma e bukura, gjithçka mediatizohet dhe shitet për event kultural!
Për ta mbyllë, shpresoj se znj. Ademi, tue qenë pinjolle e nji familjeje që e ka vuejtë përndjekjen komuniste, do ta ketë në rend të punës së saj nji slogan të munguem në ato flamuj dyngjyrësh që më lëbyrën sytë: Për Shkodrën dhe kujtesën tonë!”.

Mbas mungesës së nji reagimi të kryetares së Bashkisë së sapoemnueme (kumeditë nëse kjo gazetë mbërrin në zyrën bashkiake?), i baj nji letër znj Ademi ‒ këtë radhë tue e protokollue ‒ e cila kuptohet rithekson qëndrimet e mia mbi figurën e personalitetin e Pipës. Letra asht kjo:


“Tiranë, më 20. 05. 2016

E nderueme znj. Ademi,

Në këtë letër, pas artikullit tim ‘Për nji shtatore të Arshi Pipës në qytetin e Shkodrës’, e shoh detyrë, përgjegjësi qytetare e profesionale me Ju drejtue tashma personalisht Juve. Siç edhe mund ta dini, në nyje të ndryshme historike, vende dhe kombe tregohen fragjilë për kujtesën e vet historike dhe për nderimin e figurave kombtare. Kjo, në këtë kaotizëm institucional e shtetnor, po na ngjet edhe neve. Nuk asht e para herë, drue! Meqenëse shteti shqiptar – për të dalë tek çështja e thelbi i letrës – asht tregue ndër vite shpërfillës ndaj figurës së Arshi Pipës, si edhe kritika letrare shqipe asht tregue e mënjanueme në vlerësimin e veprës së këtij autori (pos viteve të mbrame), gjykoj se na takon ne si qytetarë me mendue për bashkëqytetasit tonë. Besoj, e dashtun znj. Ademi, se dy pllaka trotuari sa për nji shtatore të Pipës, në kryeqytet, mund të ishin gjetë. Meqë nuk janë gjetë tash 19 vjet, qysh se hini i trupit të Arshiut u derdh në Adriatik, na takon neve – e ritheksoj – me e ba këtë gja. Pasja e nji ‘busti’ në mjediset e Muzeut Historik të Shkodrës, nuk mjafton. S’ka pse të ekzistojë në mjedise të mbylluna. Në ato mjedise, ku për fat të keq shiu pikon nga të katër anët. Dhe me qenë e mbara, Pipa duhej të kishte nji muze të posaçëm, e jo me qenë aneksim i nji tjetër muzeu! Në parantezë po pohoj, se dy ‘letra bakalli’ për dekorime të presidentit dhe të organeve të tjera ndaj Pipës, nuk janë asgja. Për shkak se nuk ka mbetë rod shqiptari pa pasë urdhna klasës 1, 2, 3; pa pasë mirënjohje qyteti, a ndere qytetesh!

Ju vê në dijeni se vitin tjetër asht 20 vjetori i ndamjes nga jeta të këtij personaliteti dhe 3 vjet ma vonë (në 2020 pra), 100 vjetori i lindjes. Në gjykimin tim, rast ma të volitshëm se këtë nuk mundet me pasë! Në kërkesën që Ju parashtroj, me anë të kësaj letre, kam miratimin unanim të shumë profesorëve të nderuem, kolegëve, intelektualëve, botuesve e familjarëve të Pipës. Pasja e nji shtatoret të A. P. në qytetin e Shkodrës, kishte me qenë respekti ma minimal ndaj tij dhe punës së tij. Sigurisht lypet të ketë nji komision real në selektimin e projektit fitues, dhe të mos ndodhë gafa siç ishte me Martin Camajn – që asht nji shëmti artistike, për fatin tonë të keq. Edhe për këtë rast kam folë publikisht. Si familje e përndjekun dhe që keni vuejtë konsekuencat e regjimit komunist shqiptar, asht e tepërt dhe e pavend me Ju sqarue sesa e randësishme asht që figurat e persekutueme me pasë nderimin dhe statusin përkatës. Prandej do t’Ju isha lutë – që në angazhimet e përditshme Tuejat – t’i jepni përparësi e seriozitet kësaj çështje. E di që në rend të punës Suej keni dhjeta e qinda shqetësime, por Ju lutem të mos e bajmë ‘shpirtin qorr, zêmra bâhet e shurdhën!’, siç thotë vetë Pipa. Nëse unë dhe Ju do të heshtim, kush do të flasë? Do të ishte e dhimbshme me vazhdue – po prapë – me harrue personat që kanë kontribut bazik në kulturën vendase. Dhe problemi asht se Arshi Pipa ka shumë vëllazën! Do me thanë, unë si qytetar, shtetas i Republikës së Shqipnisë, e vuej faktin që nuk ka ende memuare, buste/shtatore, emna auditoresh në Fakultete të shumë e shumë personaliteteve në vendin dhe qytetin tonë. A ka turp ma të madh sesa Universiteti ‘Luigj Gurakuqi’ i Shkodrës mos me pasë nji aulë me emnin e Pipës? Në nji kohë kur ai ka vdekë me titullin Professor Emeritus në SHBA. Tash ndryshe, meqë Ju e keni vetë parasysh diferencën akademike, me e gëzue atë titull nga Universiteti i Minnesota-s, dhe ndryshe (siç janë rastet e fundit) me e pasë nga Universiteti i Shkodrës, i cili nuk e di se ku i ka të drejtat me akordue tituj të tillë. Po kufizohem se kisha mujtë me u zgjatë ma tej në këtë pikë. Por po e ha veten me dhambë!
Në mbyllje... nëse ju e shihni të arsyeshme, për çka fola ma nalt, dhe e gjeni kohën e duhun, unë kisha me ardhë me shumë dëshirë me diskutue prej afër mbi projektin, ngritjen e nji komisioni vlerësues të bocetit/punimit, së bashku me njerëz që janë brenda së njejtës mendsi e kërkesë me mue.
Me shpresën se lëçitja e kësaj letre s’Ju ka marrë kohën e vyeme,
në pritje të nji përgjigjeje!


Me falënderime,
Lisandri Kola, dr.

(Profesor në UT, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Departamenti i Letërsisë; e-mail: xx... nr. cel: xx...)

Mbas dërgimit të letrës sime, marr nji përgjigje në e-mail (dt. 05. 08. 2016) nga i ngarkuemi i znj. Ademi me këtë përmbajtje: “Ne baze te letres suaj derguar Kryetares se Bashkise Zj, Ademi, jam ngarkuar qe te komunikoj me ju per te filluar bisedimet per projektin e shtatores se Arshi Pipes dhe per ide te tjera qe ka Bashkia ka ne fushen e kultures.” Me instancat bashkiake takohem nga shtatori, për shkak se nuk ndodhesha në Shqipni. Ndërkohë më ishte propozue me qenë nji nga redaktorët e revistës Gegnia. Pranova, megjithëse qysh në krye të herës me kundërshtime për mungesën e zanores së ndërmjeme ë në titull. Numri i parë i saj doli kah dhetori. Po ndërkohë pa dalë nr. i dytë dhashë dorëheqjen (letër me 5 argumentet përkatës, dërgue më dt. 07. 02. 2017 znj. Ademi, z. Vila dhe znj. Keçi). Po ndërkaq unë kisha botue nji artikull ‘Lulebora e nji qyteti’ (‘Shqiptarja.com’, dt. 05. 02. 2017), ku kisha shprehë qëndrimin tim si anëtar jurie mbi Festivalin e dhetorit në Shkodër, me titull homonim (Luleborë), mbas mungesës së reagimit të Zyrës së Kulturës, Bashkia Shkodër, për votimin tim. Siç mund të paramendohet kontakti ynë mbi ato diskutime të plogëta mbi shtatoren e A. Pipës u ndërpre. Gjatë harkut kohor shtator 2016-janar 2017, unë kam propozue dhe komisinë përkatëse për vlerësimin e shtatores, për të cilën s’mora përgjigje kurrë. Interesant asht fakti se në këshill bashkiak – me sa kam informacion unë, kuptohet të marrë verbalisht nga përfaqsues të Bashkisë – asht miratue nji fashë buxhetore prej 300. 000 lekësh (kund $2400) për ngritjen e shtatores së Pipës. Shumë, sikundërse i shkrueja në e-mail Profesor Sami Repishtit (nga i cili nuk mora kurrë përgjigje për fat të keq [!?]), me të cilën as syzet e Arshiut nuk mund të derdhen në bronz.

Bashkisë së këtij qyteti, nuk kam çka i kumtoj ma shumë seç i kam shkrue e komunikue ma heret. Veçse i baj ftesë me gjetë fletushkat e memove të tyne mbi këtë temë, në mos i paçin hedhë në kosha. Ose së paku me marrë mundin me (ri)lexue edhe nji herë këtë artikull. Në mbyllje të këtij shkrimi, ricikloj mendimin tim se mungesa e respektit të simbolit të demokracisë shqiptare, Profesor Arshi Pipës, asht po aq enveriste sa krejt burgimi e persekutimi i tij dhe i familjes së tij. Kupto këtu krejt kasës intelektuale ndry në burgjet komuniste shqiptare. Shkodra, po mohon birin e vet ma të denjë, tue e lanë deri pa emën të nji rruge në qytet (me sa jam në dijeni veç qyteti i Durrësit e ka), pa nji emën aule universitare e me radhë. Lene ma pastaj të nji shtatoreje. Kjo kuptohet bahet nën paradigmën e ‘shokëve të djeshëm’ që janë ‘zotnitë e sotëm’. Pyetja ime asht se ke frikëson Pipa në qytet? A munden instancat bashkiake dhe qytetarët e Shkodrës me e zanë Diellin me shoshë? Për herë të parë, baj publike thirrjen time për reagimin e brezit të ekziluem që gjendet në katër anët e botës, miqve, intelektualëve e dashamirëse të Pipës. Mbi të gjitha familjarëve të Arshi Pipës. Pa ju zani im asht vox clamantis in deserto!

* Mbas botimit të artikullit të masipërm në gaz. ‘Panorama’, më 02 maj 2017, ― i cili asht në masën pothuejse 100 % i njejtë, ― e deri më sot nuk ka asnji reagim zyrtar nga Bashkia Shkodër, intelektualët, miqtë, e familjarët e Pipës. Kjo me sa duket tregon për ‘sensibilitetin’ e padiskutueshëm kombtar!