Tingëllim i këputun

Sonte kujtimi n’arratít e tija
tue u-vjedhun prej t’errtave llogore
ndeshi n’andërr atê qi e thirrun prore
duket veç rrallë për trishtimet e mija.

Ishte si qe te stina e parë rinore
kur ja stoliste ballin pafajnia.
E m’thonte: «Çka se vdiqa shpejt? Lumnija
nuk qe për mue! E lashë nji përmendore!

Jo krejt u-bora ku m’u sos mënxyra.
Si frymë un endem (a s e ndien?) rreth teje.
Të prij aty ku t’urdhënon detyra,

të mproj nga çdo rrezik përmes beteje.»
I qeshën sŷt, i ndriti hir fëtyra...
O motër, vorri yt asht mbrenda meje!



(A. Pipa, L. B., sonet kushtue Bedi Pipës, Burgu i Korçës, Tetor, 1948.)